TIRANE- Arrestohet në Doganën e Kakavijës, teksa udhëtonte drejt Greqisë, ish-presidentja e firmës Piramidale "Gjallica".

Lajmi konfirmohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, sipas të cilës, Shemsie Kadria, është arrestuar në bazë të një urdhër arresti të Prokurorisë të lëshuar në 23 mars të vitit të kaluar, për akuzën e mashtrimit me shuma të mëdha.

Burimet policore nuk dhanë detaje nëse bëhet fjalë për mashtrimin për banesë dhe shuma monetare në vlerë 2.1 milionë lekë të reja, akuzë për të cilën Kadria është shpallur e pafajshme apo është akuzë e re.

Nëse do të ishte e njëjta atëherë arresti rrezikon të rrëzohet nga gjykata dhe përgjegjësia i bie Prokurorisë që nuk e ka nxjerrë Kadrien nga lista e të kërkuarve.

Kadria u lirua nga burgu në 7 mars të vitit 2007 falë amnistisë së Presidentit të Republikës, në atë kohë, Alfred Moisiu, ndërsa i kishin mbetur ende 3 vite e gjysmë burg.

Në janar të vitit 2001, Gjykata e Tiranës e dënoi me 17 vjet burg ish-bosen e "Gjallicës", ndërsa në muajin qershor 2001 Gjykata e Apelit la të njëjtin vendim.

"Gjallica" ka patur 69 808 kreditorë, ndërsa borxhi i kompanisë, sipas ekspertëve, ka qenë mbi 200 milionë dollarë.