LSDM publikoi sot dokumentet që sipas saj, dëshmojnë vjedhjen e 3,5 milion eurove të thata, nga fondet evropiane, destinuar për autostradën Demir Kapi- Smokvicë, të cilat kanë shkuar në xhepat privat të disa personave të caktuar. Sipas LSDM-së Agjencia kundër pastrimit të parave hapi rastin, por me urdhrin e dikujt, procedura u ndërpre.<br /><br />"Të dhënat nga transaksionet e kryera në Maqedoni, tregojnë se 9 persona me mbiemër Konstandinos kanë tërhequr shuma marramendëse parash, prej 19 milion denarës, ose 313 mijë euro. 8 persona me mbiemër Dimitrios kanë tërhequr 17.5 milion denarë, ose 282 mijë euro në dorë. Nëpunësit e filialit të Bankës Ekonomike në Negotinë, përmes së cilës zhvillohej tërheqja e parave, lajmëruan tërheqjen e shumave të mëdha të parave në dorë.., që gjë Agjencia kishte për detyrë ta hetonte këtë rast", tha Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së.<br /><br />Nga LSDM thonë se sipas Ligjit kundër pastrimit të parave, heshtja e autoriteteve ndaj këtij rasti përbën vepër penale. Sipas LSDM-së, heshtja e institucioneve shtetërore ngre dyshime për kriminalitet të organizuar të qeverisë Gruevski. Zv/kryeministri dhe ministri i financave Zoran Stavreski sot nuk dëshiroi ta komentonte rastin, por pas kamerave tha se nëse LSDM-ja ka prova, le t'i dorëzojë ato në prokurorinë publike. Por zëdhënësi i LSDM-së Shilegov, vlerëson se për një mega-aferë të tillë, institucionet duhet të veprojnë në bazë të dyshimeve publike. Bojana Simonoviq
