PDSH-ja akuzoi sot Ministrin e Mbrojtjes Talat Xhaferi se me paratë e Ministrisë ka blerë 2 tituj librash me nga 50 kopje nga profesori Zoran Nacev, i cili në të njëjtën kohë ka qenë edhe mentor i Xhaferit në magjistraturën e tij. Kështu sipas PDSH-së, Ministri i Mbrojtjes i ka shtuar titull shkencor emrit të tij, në kurriz të popullit.

"Në shtator të vitit të kaluar Talat Xhaferi u bë Magjistër. Nuk do të kishte asgjë kontestuese në këtë situatë në qoftë se ministri i Mbrojtjes Talat Xhaferi të mos shfrytëzonte paratë e popullit për këtë qëllim. Ai nga buxheti i Ministrisë blen dy tituj me nga 50 kopje me vlerë prej 100 000 denarësh, nga autori Prof. dr. Zoran Nacev, i cili është mentor i Talatit në magjistraturën e tij", tha Bekim Fazliu, PDSH.

Sipas Ministrit të Mbrojtjes Talat Xhaferi, akuzat e PDSH-së janë të pabaza, ndërsa librat janë blerë për nevojat e Akademisë Ushtarake, ashtu siç janë blerë edhe shumë libra të tjerë nga autorë të ndryshëm. I sponsorizuar nga Ministria e Mbrojtjes, sipas Xhaferit, ka qenë vetëm libri i Jusuf Zejnelit, me titull "Parlamentarizmi në Republikën e Maqedonisë". Megjithatë Xhaferi i bëri thirrje partisë së Thaçit që para se të akuzojë BDI-në, të përgjigjet nëse në takimin mes Menduh Thaçit dhe Sasho Mijallkovit në restorantin "Sushiko" në Shkup, është rënë dakord për mbylljen e dosjes së kompanisë "Interpromet", ku si aksionarë paraqiten familjarë e njerëz të afërt të liderit të PDSH-së.

"PDSH-ja para se të dalë me akuza qesharake, duhet të përgjigjet për dy çështje aktuale që ditëve të fundit shkojnë në adresë të tyre. Ajo duhet të përgjigjet për skandalin "Interpromet-Tetovë", që mediat e publikuan para dy ditësh, dhe të përgjigjet se a është e vërtetë që marrëveshja në "Sushiko", është që Iljaz Halimi të bëhet kurban për mos hapjen e dosjes "Interpromet Tetovë", deklaroi Talat Xhaferi, Ministër i Mbrojtjes.

E përjavshmja në gjuhën maqedonase "Fokus", në numrin e saj të fundit shkruante se pikërisht dosja e kompanisë "Interpromet" mund të ketë qenë temë bisedimesh mes liderit të PDSH-së Menduh Thaçi dhe Drejtorit për Siguri dhe Kundërzbulim Sasho Mijallkov. Sipas "Fokusit", kompania "Interpromet" e cila kap vlerën e 3,5 milionë eurove, është e lidhur me PDSH-në, pasi shumë anëtarë të saj dhe njerëz të afërt të Thaçit, kanë qenë ose janë bartës aktual të funksioneve në këtë kompani. Për javoren "Fokus" madje, është e çuditshme se kjo kompani mbijeton pa inspektime dhe pa asnjë presion edhe kur PDSH-ja është në opozitë. Benjamin Arifi