TIRANE - Shqipëria renditet e fundit, me vlerën më të vogël të pagës minimale në rajon me 156 Euro, madje edhe mbrapa Kosovës. Kjo është ajo që bëhet e ditur si rezultat i një raporti të bërë publik sot nga 'Open Data Albania' e cila hulumton mbi nivelin e pagës minimale në vend, Ballkan dhe Evropë.

Paga minimale mujore në shkallë vendi aktualisht është 22 000 lekë. Kjo pagë jepet për 174 orë pune në muaj të kryera gjatë kohës normale të punës. Ndërsa shteti më i ri i Ballkanit, Kosova, aplikon një pagë të veçantë minimale, sipas moshës së të punësuarit. Nën moshën 35 vjeç, paga minimale është 130 Euro/Muaj, ndërsa për moshën 35-65 vjeç paga minimale është 170/Muaj Euro.

Vende të tjera të Rajonit si Kroaci; Mal i Zi; Maqedoni apo Serbi aplikojnë paga minimale më të larta se Shqipëria. Ndërkaq sipas raportit vendet e Europës aplikojnë paga minimale më të larta krahasuar me rajonin e Ballkanit dhe vendin tonë. Krahasuar me këto vende, sërish Shqipëria renditet ndër të fundit.

Kështu pagën më të lartë minimale e aplikon Luksemburgu, e cila arrin 1921 Euro/Muaj. Më pas renditet Belgjika, Irlanda, Franca, Britani e Madhe. Gjermania aplikon pagë minimale në bazë të sektorëve, dhe tarifa më e ulët arrin 7 Euro/Ora për 48 orë pune në javë.

Ndër vendet me pagë minimale më të ulët, e cila nuk i kalon 200 Euro/Muaj renditen Bullgaria, Serbia, Mali Zi, Rumania. Ndërsa Italia, Danimarka, Austria, Finlanda, Suedia, Zvicra dhe Norvegjia nuk aplikojnë pagë minimale zyrtare.

Paga minimale është paga më e ulët që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo punëdhënës, vendas ose i huaj. Paga minimale përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave me propozimin e Ministrit të Punës.