TIRANË - Ora 02:07 e datës 25 mars 2014. Kamerat e sigurisë filmojnë momentin e lëvizjes së predhës dhe goditjen me murin e vilës tre katëshe të kryekomunarit Fatbardh Plaku, në zonën e njohur si Farkë e Vogël, në periferi të Tiranës.

Pamjet e transmetuara ekskluzivisht nga TV A1 Report tregojnë predhën që përshkon rrugën përballë vilës, dhe godet fasadën.

Nga pamjet duket momenti i parë i një shpërthimi drite që tregon vendin dhe aktivizimin e predhës nga antitanku, nga vendi ku është kryer goditja dhe më pas rrugën që përshkron predha derisa godet vilën.

Sipas policisë ka shpërthyer vetëm mekanizmi ndezës dhe jo predha, duke shmangur një tragjedi, nëse do të shpërthente.

Kamera e A1 Report ka gjetur të freskëta edhe gjurmët e autorëve nga vendi ku mendohet se është realizuar qitja me antitank, që është pranë xhamisë dhe përballë vilës.

Sipas policisë nuk rezulton të ketë lidhje mes xhamisë dhe ngjarjes dhe ndoshta ajo është zgjedhur si vend i duhur nga autorët për shkak të pozicionit të favorshëm që kishte për të goditur vilën e kreut të komunës së Farkës.

Vetë Plaku, i cili drejton këtë komunë prej 17 vitesh, në një intervistë për gazetarin e tv A1 Report, Arsen Rusta thotë se familja e tij është e shokuar dhe se, gjatë 17 viteve në detyrë është mundur që të bëjë më të mirë. Nuk ka pasur konflikte në punë apo jetën e tij.

"Muri është qëlluar me antitank. Në momentin kur ka ndodhur ngjarja e gjithë familja ka qenë në banesë në katin e dytë të saj", tha sot paradite Plaku për A1 Report.

Fatmirësisht nga shpërthimi ka patur vetëm dëme materiale, dhe nuk ka dëmtuar asnjë prej pjesëtarëve të familjes Plaku, të cilët në atë orë kanë qenë në gjumë.

Policia dhe prokuroria e Tiranës kanë ngritur një grup të zgjeruar hetimor ku janë përfshirë edhe oficerët antiterror.