Pas debateve për kallëzimin penal për shpërdorim detyre dhe korrupsion, ish-Ministri Arben Imami, dhe Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, janë përplasur ashpër në parlament. Imami ka hedhur një akuzë të rëndë mbi Ministren Kodheli, se po përdor Forcat e Armatosura për transportin e lëndëve narkotike.
"Infrastruktura ushtarake e një ushtrie të NATO-s po përdoret rregullisht për infrastrukturë të transportit të lëndëve narkotike dhe për këtë duhet të vijë edhe të japë përgjigje ministrja" tha Imami.
Përballë kësaj akuze të rëndë, Ministrja Kodheli ka zgjedhur të heshtë duke u mjaftuar me një reagim të kryetarit të parlamentit, Ilir Meta.
"Ishte shumë e rëndë kjo gjëja e fundit pasi implikonte edhe NATO-n" tha Meta.
E vetmja përgjigje e Ministres se Mbrojtjes, ishte etiketimi që ajo i bëri parardhësit të saj për shkatërrimin e Forcave të Armatosura.
Mimi Kodheli: "Reflektoni me zë të lartë dhe hajdeni t`i diskutojmë reformat në këtë fushë siç i takon nderit të këtij Parlamenti".
Arben Imami: "Nuk ke mënd ti të thuash reflektoni. Nuk e ke atë kapacitet".
Këto akuza dhe debate erdhën në rrjedhën e diskutimeve mbi draft-ligjin që synon heqjen e disa kompetencave të Presidentit, për drejtimin dhe komandimin e Forcave të Armatosura.