TIRANE- Bashkimi Demokratik për Integrim është i vendosur për të bërë të pamundurën që të dështojë procesi zgjedhor për votimin e presidentit të Republikës së Maqedonisë. Nënkryetari i kësaj partie, Izet Mexhiti, deklaron në një intervistë për "A1 Report" se edhe në rastet e mëparshme kur i ka mbështetur kandidatët për presidentë, këta të fundit kanë dështuar në mbrojtjen e të drejtave të Shqiptarëve. E për këtë arsye, sipas tij, ka ardhur koha që një nga 3 institucionet më të rëndësishme, si presidenca, kryeministria dhe parlamenti, të drejtohen nga shqiptarë.

Pyetjes nëse ekziston mundësia që Bashkimi Demokratik për Integrim të bëjë një marrëveshje me Partinë Demokratike shqiptare, nënkryetari Izet Mexhiti i përgjigjet se është tentuar diçka e tillë porse kryetari i PDSH Menduh Thaçi, ka ndryshuar qëndrim pas takimit që ka pasur kreun e sigurimit.

Për herë të parë, sikurse tregon Izet Mexhiti, do të mund të zhvillohen zgjedhje edhe në diasporë. Ndërkaq, nënkryetari i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim tregon se ndodhet në Tiranë edhe për faktin se në Ambasadën e Maqedonisë do të votojnë rreth 700 persona, nga Pusteci.

Raundi i parë i zgjedhjeve për presidentin e Maqedonisë do të zhvillohet të dielën, ndërsa më 27 prill, do të zhvillohen edhe zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë.