Ka nisur këtë të martë gjykimi i shkurtuar në gjykatën e rrethit gjyqësor Shkoder ndaj kryetarit të komunës Postribë, Faz Shabaj, kreut të misionarëve të paqes e pajtimit të gjaqeve Nikoll Shullani, si dhe 6 kryepleqve të komunës Postribë.
Mbi ta rëndon akuza e lëshimit të dëshmive fallso për gjakmarrje, ku persona të caktuar i kanë paraqitur në Belgjikë për të kërkuar azil politik.
Sipas organit të akuzës fillimisht dëshmitë për gjakmarrje janë lëshuar nga kryepleqtë, më pas ato janë firmosur te kryetari i komunës dhe në fund nga shoqata e pajtimit të gjaqeve.
Denoncimi për këtë çështje ka ardhur nga një familje në Belgjikë, e cila ja ka paraqitur autoriteteve belge për të kërkuar azil politik dhe atje dokumenti është zbuluar sipas organit të akuzës që është fallso.
Gjithsej sipas prokurorit të çeshtjes kanë rezultuar fallso 7 dokumenta të lëshuar nga palët e akuzuara, për disa familje.
Pas përfundimit të kësaj seance gjyqësore, kreu i shoqatës së misionarëve të paqes dhe pajtimit të gjaqeve, Nikoll Shullani, tha se vërtetimet janë lëshuar vetëm për ato familje që realisht janë në gjak, për kudo që ti nevojiten.
"U kemi bërë vërtetime atyre familjeve që kanë qenë me probleme të gjakmarrjes, ne nuk u kemi bërë vërtetime që të shkojnë askund në botë, por na i kanë këkruar për ku tu nevojiten. Ne se kemi ditur që do shkojnë as në Belgjikë, as Francë, as në ndonjë vend tjetër. Kanë kërkuar një letër, na e lësho se jemi në gjak, ua kemi lëshuar pasi nuk e kemi ditur se po i bëjmë keq kujt" tha ai.
Nga hetimi i prokurorisë së Shkodrës ka rezultuar se faktet e paraqitura në dokumentacion janë të gjitha të pavërteta.