Patos- Vritet në pritë para banesës së tij një 40-vjeçar i sapokthyer nga Greqia. Ngjarja ndodhi rreth orës 22 të mbrëmjes së të shtunës ndërsa Nikolin Rrapaj po kthehej për në banesën e tij në Patos. Emigrantit të sapokthyer pranë familjes së tij i është bërë atentat para pallatit ku jetonte në lagjen "29 Marsi" në Patos.

Banorët e zonës dhe policia konfirmuan se ndaj 40-vjeçarit është qëlluar me disa plumba. Arma dyshohet të ketë qënë pistoletë e pajisur me silenciator, ndërsa autorët për shkak të errësirës por edhe faktit se në atë orar nuk ka pasur lëvizje, kanë përfituar duke u larguar nga vendi i ngjarjes.

Mësohet se Nikolin Rrapaj ishte kthyer përfundimisht nga Greqia dy muaj më parë e madje menaxhonte një lokal me qera në qendër të Patosit.

Burime pranë grupit hetimor bënë të ditur se viktima kishte rreth 20 vjet që jetonte në Greqi dhe sipas banorëve ka vizituar shumë rrallë Shqipërinë.

Ky fakt ka çuar në dyshime se viktima mund të ketë pasur konflikte të hershme, që e kanë detyruar të mos vizitojë vendin e tij. Kjo është një ndër pistat kryesore të hetimit referuar dhe faktit se viti 1997 ka shënuar disa ngjarje të rënda në Patos. Edhe konfliktet e mundshme në shtetin fqinj por edhe konkurenca në biznes janë pista të tjera ku është përqendruar hetimi. Viktima ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve .