Spitali i qytetit të minatorëve, ai i Bulqizës, duhet të jetë ndër spitalet më të mira, jo vetëm në qarkun e Dibrës, por në të gjithë vendin. Në rrethin e Bulqizës janë rreth 1500 minatorë, që punojnë për industrinë krom-nxjerrëse. E megjithatë, prej vitesh në këtë spital mungon mjeku kirurg, anestezistët dhe reanimatori, të cilët janë të domosdoshëm pasi është një institucion, që ka pritshmëri të vazhdueshme për traumat.<br /><br />Në këtë spital, ku mungon edhe mjeku specialist obseter-gjinekologu, paraqiten mjaft qytetarë edhe nga zonat e thella të rrethit të Bulqizës, që kufizohen me Librazhdin. Banorët e rrethit të Bulqizës kërkojnë që ta kenë shërbimin spitalor brenda rrethit të tyre në mënyrë që të mos i drejtohen Peshkopisë apo Burrelit. Sipas drejtorit të spitalit të Bulqizës, Shahin Kaja, ky shqetësim është ngritur edhe pranë Ministrisë së Shëndetësisë.<br /><br />Spitali i Bulqizës ka nevojë edhe për rikonstruksion, pasi ai është në një gjendje tejet të amortizuar, si dhe paisjet ekzaminuese spitalore janë të një teknologjie jobashkëkohore.