TIRANE -- Prokuroria dorëzon kërkesat për pezullimin nga detyra të gjyqtarit Gjin Gjonin, i cili është edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe të dy gjyqtarëve bashkëshortë Ken Dhima dhe Klorinda Çela.

Kërkesat janë depozituar për Gjonin në gjykatën e Elbasanit, ndërsa për Çelën dhe Dhimën në gjykatën e Durrësit.

Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme sipas të cilave kërkesat për pezullimet e gjyqtarëve janë bërë të mërkurën dhe akuza është e njëjtë, për "Refuzimin për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose të çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim".

Po sipas të njëjtit burim pas shqyrtimit të materialit në kallëzim, organi i Prokurorisë vlerëson të nevojshme për hetimin aplikimin e masave ndaluese "pezullim nga detyra" ndaj tre personave me funksione publike deri në përfundim të hetimeve, sipas parashikimit të nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale.

Për anëtarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, procedimi u regjistrua në prokurorinë e Elbasanit, për shkak të konfliktit të interesit që mund të kishte përsa kohë Gjin Gjoni ushtron dhe detyrën e gjyqtarit të Apelit në Tiranë.

Për të Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive depozitoi kallëzimin penal në Prokurorinë e Përgjithshme për fshehje të pasurisë së tij dhe bashkëshortes, falsifikime, deklarime dhe kontrata të rreme me vlerë 1 842 796 euro, 53 270 000 lekë të reja dhe 180 mijë usd.

Për dy gjyqtarët e Gjykatës Administrative që janë edhe bashkëshortë, Dhima dhe Çela procedimi u regjistrua në Gjykatën e Durrës pas kallëzimit të ILDKP se kanë mashtruar për llogaritë e transaksionet bankare, duke dhënë edhe deklarime të rreme për huamarrje, dhurata apo shlyerje këstesh për apartamente me vlerë 5 820 000 lekë dhe 214 300 euro.