Motivi për vrasjen e mbrëmshme në Gjorçe Petrov ka qenë zënka banale pas tentimit për vjedhje të biçikletës, pronë e viktimës Angel P. nga Shkupi. Pasi viktima e ka vërejtur hajnin, bashkë me të atin janë vënë në ndjekje me veturë. Policia e ka arrestuar të dyshuarin në afërsi të urës që shpie në Saraj.

'Kemi dalë në vendngjarje dhe kemi filluar ndjekje ndaj të dyshuarit, dhe i njëjti është gjetur në afërsi të spitalit, dhe është privuar nga liria', deklaroi Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.

Vrasja nxiti protesta të banorëve lokal të Gjorçe Petrovit, që eskaluan në orët e mbrëmjes, duke lënë të demoluar dhjetëra lokale dhe vetura. Policia ka identifikuar 18 persona për prishjen e rendit dhe qetësisë publike, të cilët pas dënimeve me gjobë kundërvajtëse, janë lënë të lirë.

'Pas kryerjes së veprës penale, në afërsi të vendit të krimit dhe në disa lokacione në Gjorçe Petrov u grumbulluan grupe më të mëdha qytetarësh, që demonstronin revolt dhe pakënaqësi. Një pjesë e tyre gjatë mbrëmjes filluan edhe prishjen e rendit dhe qetësisë publike, me çka u dëmtuan edhe disa vetura dhe objekte. Me intervenim policor janë ndaluar 18 persona, prej të cilëve 5 të mitur', u shpreh Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.

Megjithatë kryerësit e veprave penale, të cilët kanë djegur dhe demoluar pronat private, ende nuk janë identifikuar. Policia thotë se po punon në zbardhjen e rastit.

'SPB Shkup vazhdon me masa intensive në drejtim të identifikimit të personave të tjerë, dhe kompletimit të provave materiale për veprime të kundërligjshme dhe dëshmimin e padisë penale sipas nenit 385, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale', tha Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.

MPB-ja sqaroi gjithashtu se nuk është përdorur asnjë lloj force mbi pjesëmarrësit në protestat vandale mbrëmjen e kaluar. Policia nuk ka të dhëna për numrin e objekteve të shkatërruara, dhe sa mund të jetë dëmi eventual. Benjamin Arifi