Instituti parlamentar filloi sot punën, si shërbim i Kuvendit për hulumtime dhe informim. Ekipi i Institutit parlamentar përbëhet nga 25 nëpunës shtetërorë, të gjithë me arsim adekuat dhe të trajnuar, për t'iu dalë në krah nevojave të deputetëve, mbi përpunimin e analizave dhe studimeve. Misioni i këtij instituti është forcimi i rolit legjislativ dhe mbikëqyrës të Kuvendit.

"Çdo deputet nga përbërja e re, përmes formës së shkruar apo elektronike, mund të dorëzojë kërkesë për përpunimin e ndonjë informate të shkurtër, krahasuese apo të dhëna kronologjike për disa çështje të caktuara që janë në fushëveprimin e tij", tha Trajko Veljanoski, kryetar i Kuvendit.

Instituti parlamentar u themelua me mbështetjen e ambasadës zvicerane. Këtij procesi i parapriu një dialog prej 5 vjetësh.

"Agjencia për mbështetje dhe zhvillim, përmes këtij projekti thekson partneritetin e Agjencisë zvicerane dhe Kuvendit të Maqedonisë. Qëllimi i Agjencisë zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim është hulumtimi profesional dhe objektiv, si dhe analiza të bazuar në ekspertizën ndërkombëtare dhe vendore, shërbime të edukimit dhe komunikimit, bibliotekë hulumtuese dhe arkiv ligjvënës", u shpreh Stefano Lazarato, ambasador i Zvicrës në Maqedoni.

Udhëheqës i Institutit Parlamentar është këshilltari shtetëror Zllatko Atanasov, i cili vjen nga Sekretariati për çështje evropiane. Bedri Rexhallari