Agjencia për Ushqim dhe Veterinari nuk respekton marrëveshjen për zbatimin e gjuhës shqipe në ueb faqen e saj. Edhe pse kohë më parë u zotua se, së bashku me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, do ta përkthente ueb faqen brenda muajit, një gjë e tillë nuk ndodhi. I kontaktuar nga Alsat-M, drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari Dejan Runtevski nuk deshi të prononcohej. Kjo është deklaratë që Runtevski dha për mediat, marsin e kaluar.

"Faqja jonë e internetit së shpejti do të përkthehet edhe në gjuhën shqipe. Pra, o të kemi versionin shqip të këtyre artikujve. Të gjitha informatat që i kemi në gjuhën maqedonase, do të jenë edhe në gjuhën shqipe, dhe për këtë biseduam me përfaqësuesit e OEMVP-së. Na është ofruar ndihmë në këtë drejtim, me qëllim që ta realizojmë sa më shpejtë këtë projekt", u shpreh Dejan Runtevski, drejtor i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinë.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, fajin ia faturojnë Agjencisë e cila sipas tyre, nuk e ka kontaktuar asnjëherë Odën për të filluar me përkthimet.

"Fatkeqësisht, deri më sot ne nuk kemi marrë ndonjë kërkesë zyrtare, qoftë edhe në adresën e mail-it, përmes së cilës do na kërkohej se cila pjesë ose çfarë materiali duhet ta përkthejmë në gjuhën shqipe. Sigurisht që me që një kërkesë të tillë nuk e kemi marrë, ne nuk kemi të drejtën të bëjmë punë për dikë, pa mos u kërkuar nga ne. Në momentin e parë që do të marrim një kërkesë zyrtare nga ana e tyre se cila pjesë do të duhet të përkthehet, shërbimet tona do të mund t'iu dalin në ndihmë", tha Arben Halili, drejtor i OEMVP-së.

Në ueb-faqen e Agjencisë, nuk gjendet asnjë akt, asnjë vendim apo marrëveshje dhe veprim tjetër juridik dhe informues, në gjuhën shqipe. Ferikan Iljazi