TIRANË - Ministri i Mirëqenies Sociale Veliaj dhe Zv.Presidentja e Bankës Botërore për Europën, Laura Tuck, kanë parë sot nga afër sistemin e ri dixhital të skemës së ndihmës ekonomike që në Tiranë po po përdoret për herë të parë në njësinë bashkiake nr.6.

Projekti ka për qëllim hedhjen në sistemin elektronik të të gjithë të dhënave për përfituesit e ndihmës ekonomike, për të shmangur abuzimet.

Projekti për modernizimin e ndihmës ekonomike ka nisur të zbatohet në qarkun e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit dhe gradualisht, në një fazë të dytë, do të shtrihet në gjithë vendin.

Ministri i Mirëqënies Erjon Veliaj, lidhur me këtë projekt, tha:

"Qershori është muaj shumë i rëndësishëm për ne sepse ndihma ekonomike, jo vetëm që do të shpërndahet me sistemin e ri elektronik që shmang burokracitë e abuzimet, por do t'i jepet vetëm grave, shoqëruar me bonus për fëmijët që shkojnë në shkollë dhe vaksinohen, ç'ka shmang kostot e varfërisë dhe sëmundjeve në të ardhmen".

Sistemi dixhital i ndihmës ekonomike kushton 40 milionë dollarë dhe financohet nga Banka Botërore.

Zv. Presidentja e Bankës Botërore, Tuck, tha se projekti synon përqëndrimin e fondeve tek ata njerëz që janë vërtet në nevojë.

"Rezultatet janë të dukshme,"- thekso ajo, - "nga pikëpamja e efikasitetit dhe lehtësisë së përdorimit të kësaj skeme.

Banka Botërore është e kënaqur që është partnere e qeverisë në përpjekjet e saj për uljen e varfërisë dhe për rritjen e të ardhurave të njerëzve që kanë nevojë për to."

Në skemën e ndihmës ekonomike aktualisht janë 86 mijë familje në gjithë vendin dhe numri i përfituesve është ulur me 25 %, pasi sipas ministrit Veliaj, janë nxjerrë nga skema abuzuesit.