Përfaqësimi i shqiptarëve në burgjet e Maqedonisë vazhdon të mbetet i dobët. Në të gjitha burgjet e Maqedonisë nuk ka asnjë komandant, zv/komandant, e madje as udhëheqës turni. Sipas informatave që ka siguruar ALSAT-M, në burgun e Shutkës nuk ka asnjë shqiptar të punësuar as në mesin edukatorëve. Në burgun e Idrizovës dhe të Shtukës vetëm zv/drejtorët janë shqiptarë, të cilët edhe ashtu kanë pak kompetenca në vendimmarrje. Ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti, nën kompetencë të së cilit janë burgjet e Maqedonisë, tha se çështja e përfaqësimit të shqiptarëve nëpër burgje do të rregullohet me miratimin e Ligjit për Përmbarimin e Sanksioneve.

Kohë më parë ju pranuat se nëpër burgjet e vendit përfaqësimi i shqiptarëve është katastrofik në postet udhëheqëse! Të paktën me të burgosur vallë arrijmë mbi 50 për qind?

"Për përfaqësimin nëpër burgje pata dhënë deklaratë dhe gjithashtu pata thënë se së shpejti Ligji për Përmbarimin e Sanksioneve do të jetë në Kuvend i cili e mundëson që të rregullohet kjo çështje dhe ligji është në Kuvend dhe pas miratimit gjithsesi se ka plan se si të rregullohet edhe kjo çështje", u përgjigj Blerim Bexheti, Ministër i Drejtësisë.

A janë 50 për qind shqiptarë të burgosurit nëpër burgje?

"Ajo është çështje që ndryshon dhe nëse sot do të operojmë me përqindje e kemi mundësinë edhe që të gabojmë pasi ky numër për çdo ditë mund të pëson", u shpreh Blerim Bexheti, Ministër i Drejtësisë.

Ndërkohë sa i përket përfaqësimit të shqiptarëve në gjyqësor, Bexheti vetëm tha se në këtë fushë shqiptarët përfaqësohen me mbi 15 për qind, duke mos dashur të komentojë se është i kënaqshëm ky numër ose jo?

'Mbi 15 për qind', theksoi Blerim Bexheti, Ministër i Drejtësisë.

Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve në gjyqësor është larg 25 përqindëshit bazuar sipas të dhënave të raportit të Avokatit të Popullit. Në Gjykatat themelore në nivel të republikës përfaqësimi sillet në rreth 15 % ndërsa në gjykatat e apelit në rreth 11%. Ministri i drejtësisë, Bexheti beson se shifrat do të përmirësohen dhe në këtë kuadër përmend Prokurorinë Publike ku sipas tij përfaqësimi ka arritur në 17 për qind. Valmir Kuçi