Moti i keq me shi të dendur dhe stuhi të forta ere ka shkaktuar përmbytje kryesisht në jug. Situata më problematike paraqitet në qytetin e Vlorës. Disa nga lagjet dhe rrugët kryesore të qytetit janë mbuluar totalisht nga uji. Shumë banesa dhe biznese janë përmbytur, ndërkohë që nga moti i keq është shkëputur energjia elektrike në qytet dhe shumë fshatra përreth.

Si pasojë e shiut të rrëmbyeshëm është bllokuar nga rrëshqitja e dherave aksi Radhimë-Orikum. Masive të mëdha guri kanë rënë mbi rrugë, duke shkaktuar bllokimin e saj.
Po ashtu situata e rëndë ka prekur edhe qytetin e Fierit, ku lumi Gjanica ka dalë nga shtrati, duke përmbytur banesa, lokale, dyqane të ndërtuara afër tij. Ndërkohë në disa lagje është ndërprerë energjia elektrike.

Si rezultat i reshjeve janë përmbytur lagjet "24 Maji", "Pavarësia" dhe "15 Tetori". Nga ana e shërbimeve të policisë janë marrë menjëherë masa për evakuimin e 8 familjeve me rreth 25 persona nga shtëpitë që janë përmbytur në këto lagje, ku 3 prej tyre janë dërguar në Spitalin Rajonal për trajtim mjekësor.

Sipas policisë, në disa rrugë të qytetit, si "10 Korriku", qarkullohet me vështirësi dhe se disa prej segmenteve që lidhin qytetin e Vlorës me Fierin, Orikumin dhe fshatrat përreth janë të pakalueshme si rezultat i inerteve të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm.

Policia raporton vetëm për disa krerë bagëtish të ngordhura.

Rreshjet e rëna kanë shkaktuar problem edhe në Skrapar, ku Ura e Kashabashit rrezikon të shëmbet, pasi njëra këmbë e saj është shkatërruar plotësisht. Përmbytje ka edhe në qendër të Skraparit, ndërsa ka patur rrëshqitje dherash në aksin Corovodë-Potom.