VLORË - Kryeministri Edi Rama ka mbledhur paraditen e sotme në një takim me dyer të mbyllura administratën tatimore në Vlorë ku mësohet se është diskutuar për aksionin kombëtar të nisur para pak ditësh kundër informalitetit.

Në takimin që nisi rreth orës 10:30 kanë qenë të pranishme edhe drejtoresha e përgjithshme e Tatimeve, Briseida Shehaj dhe drejtoresha e Tatimeve në Vlorë, Pranvera Resulaj.

Kreu i qeverisë dhe ajo e Tatimeve kanë specifikuar edhe njëherë prioritetet e këtij aksioni. Ata kanë kërkuar angazhim maksimal të grupeve të punës dhe të mbarë administratës tatimore.

Në përfundim të takimit, Rama i shoqëruar nga dy zyrtaret e larta, kanë vizituar një supermarket në qytetin bregdetar.

Drejtoresha e Tatimeve në Vlorë, Pranvera Resulaj, tha se aktualisht në terren janë 44 grupe pune në kuadër të aksionit kundër informalitetit.

Ajo pranoi se qyteti i Vlorës ka probleme të mëdha me informalitetin e bizneseve dhe se kjo vizitë e kryeministrit dhe drejtoreshës së përgjithshme të Tatimeve dëshmon mbështetjen e qeverisë për mbrojtjen e biznesit taksapagues dhe konsumatorit.