Një vit pas ngjarjeve të 21 janarit, Këshilli i Evropës shprehet se Garda e Republikës nuk duhet të kishte përdorur armët ndaj protestuesve, edhe nëse ata do të ishin të dhunshëm. Në një intervistë ekskluzive për "Vizion Plus", komisioneri për të Drejtat e Njeriut, Thomas Hammarberg, shkon edhe më tej madje duke thënë se Garda nuk duhej as që t'u drejtonte armët protestuesve, por duhet të tregonte maturi. "Armët nuk duhet të përdoreshin, si dhe nuk duhet t'u drejtoheshin demonstruesve, edhe nëse ata bëheshin të dhunshëm, që ndoshta ndodhi edhe në rastin në fjalë. Është shumë e rëndësishme që sjellja e policisë dhe Gardës të jetë e matur në këto raste, sepse kjo do të bënte që forcat policore të përfshiheshin në dhunë dhe kjo e përkeqëson situatën," shprehet Hammarberg. Ashtu si një vit më parë, kur vizitoi Shqipërinë pas 21 Janarit, Hammarberg ka përsëritur apelin që palët politike nuk duhet të ndërhyjnë në hetimet e Prokurorisë. Sipas tij, çështja duhet hetuar deri në fund dhe në Shqipëri duhet të ç'rrënjoset kultura e pandëshkueshmërisë. "Jemi të zhgënjyer nga ndërhyrjet politike në hetimet e Prokurorisë. Ne kemi shpresuar se palët politike do të lejonin një hetim të drejtë, pa ndërhyrje, pa kërcënime dhe pa presione. Nëse palët do të duan të reagojnë, ta bëjnë këtë pas raportit përfundimtar. Ajo që ne duam të evitojmë është një situatë pandëshkueshmërie, ku vrasjet që ndodhin për çfarëdo arsye, nuk hetohen në thellësi, dhe kjo nuk është një përgjegjësi vetëm e drejtësi, kjo është e papranueshme," vijon Hammarberg. Komisioneri i lartë i KiE-s ishte më se i qartë në deklaratat e tij kur tha se hetimet për 21 Janarin duhet të arrijnë në një përfundim, para se Shqipëria të marrë drejtimin e Këshillit të Evropës në maj të këtij viti. "Unë shpresoj që Shqipëria ta ketë zbardhur këtë çështje para se të marrë drejtimin e Këshillit të Evropës në maj të këtij viti. Drejtimi i Këshillit të Evropës e vë Shqipërinë në një pozitë të madhe përgjegjësie për të gjitha vendet e Evropës," thekson ai. Hammarberg tha gjithashtu se përgjegjësia duhet të bjerë së pari tek drejtuesit e Gardës dhe më pas tek gardistët e thjeshtë. Sipas tij, pyetja kryesore që duhet të marrë përgjigje është se kush është përgjegjës për ngjarjet, edhe pse palët vijojnë të fajësojnë njëra-tjetrën. I pyetur për performancën e qeverisë, Thomas Hammarberg nuk dha një vlerësim të saktë, por theksoi se nëse ka vullnet, çdo administratë mund të bëjë që vendi të shkojë shumë përpara.