http://www.vizionplus.tv<br />https://facebook.com/VizionPlusTV<br />https://twitter.com/VizionPlusTV<br />Edhe pse sektori minerar ka evazionin më të madh në ekonominë shqiptare, këto biznese sërish kërkojnë ulje të taksave. Në një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, Shoqata e Investitorëve të huaj ka kërkuar që qeveria shqiptare të rishohë taksën që ata të cilët shfrytëzojnë pasuritë e nëntokës paguajnë në formën e rentës minerare. Argumenti i tyre është se rritja e kësaj takse deri në masën 15% mund të largojë investitorët e huaj nga Shqipëria. Por deputetët nuk kanë pranuar që të ketë ulje të taksave. Sadri Abazi tha se nuk do të votonte kurrsesi një ligj i cili pasuron bizneset e të huajt dhe varfëron shtetin dhe qytetarët.Kompanitë e mëdha të cilat kërkojnë dhe shfrytëzojnë nëntokën shqiptare për shumë vite me radhë raportojnë përpara organeve tatimore që dalin me humbje, duke iu shmangur kështu tatimit mbi fitimin. E vetmja taksë që buxheti i shtetit ka arritur të sigurojë për qytetarët e tij nga pasuritë kombëtare është renta minerare, e cila çuditërisht këtë vit edhe pse ka qenë një nga taksat që pati rritje po mblidhet më pak. Të dhënat e 8 muajve të parë të vitit tregojnë se të ardhurat nga renta janë 500 milion lekë më pak se një vit më parë. Pjesën më të madhe të kontributit këtu e kanë kompanitë që nxjerrin lëndë djegëse.
