TIRANË - Bizneset në zonën A në kryeqytet, paguajnë më shumë taksa për zënien e hapsirës publike, sesa bizneset në disa zona turistike të qyteteve europiane. Aktualisht, për një 1 m2 hapsirë publike të zënë në zonën A në kryeqytet (zona e ish Bllokut), një biznes duhet të paguajë 1.500 lekë në muaj. Referuar kursit të këmbimit të djeshmëm të Bankës së Shipërisë, kjo taksë përkthehet në rreth 130 euro në vit.<br /><br />Krahasuar me disa qytete në Itali, taksa që paguajnë bizneset në zonën e ish Bllokut në Tiranë, për zënien e hapsirës publike, rezulton më e lartë se taksa që paguajnë bizneset në disa qytete në shtetin tonë fqinj, Italinë. Aktualisht, në piazza Duomo të Milanos, që është një simbol i këtij qyteti dhe një zonë që vizitohet nga turistë të shumtë, kjo lloj takse është më e ulët. Konkretisht, zënia e 1 m2 hapsirë publike atje, i kushton 118.91 euro në vit bizneseve.
