Qeveria ka miratuar sot projektligjin për faljen e detyrimeve që kanë ish ushtarakët për pensionet suplementare dhe rritjen e pagesës së papunësisë.

Këtë e ka bërë të ditur Ministri i Mirëqenjes Sociale e Rinisë, Blendi Klosi i cili ka thënë se ky ishte një premtim i qeverisë në vitin 2013 dhe se prej tij janë falur 984 milionë lekë borxhe që ish ushtarakët u detyrohen shtetit shqiptar. Falë këtij projektligji, asnjë ish ushtaraku nuk do i mbahet më asnjë qindarkë nga pensioni i çdo muaji.

Klosi ka shtuar se, sot janë votuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave edhe një sërë vendimesh të tjera të rëndësishme që synojnë të rrisin mbështetjen sociale ndaj shtresave në nevojë, për të rritur me 60% pagesën bazë të papunësisë, e cila nga 6850 lekë në muaj, bëhet sot 11 mijë lekë në muaj apo 110 mijë lekë të vjetra.

Sipas tij, nga sot, ata që kanë kontribuuar më shumë në skemë, do të përfitojnë më gjatë pagesën e papunësisë. Ata që kanë paguar më pak, sigurisht edhe do të përfitojnë më pak.