Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, u shpreh kundër çdo vendimi të Gjykatës Kushtetuese që do të çonte në pezullimin e Ligjit të Pronave. Gjykata Kushtetuese pritet të marrë në shqyrtim 3 kërkesat ankimuese të ligjit, atë të Presidentit Nishani, Partisë Demokratike dhe asaj Republikane.

Sipas tij, një vendim i tillë do të kishte pasoja katastrofike për pronarët, por edhe për shoqërinë shqiptare. "Pezullimi i ligjit të pronave do të kishte pasoja katastrofike jo vetëm për pronarët, por edhe për shoqërinë shqiptare", u shpreh Manjani, duke e cilësuar pezullimin e ligjit si të palegjitimuar nga ana kushtetuese. "Nuk ka asnjë rresht që të legjitimojë pezullimin e akteve nga Gjykata Kushtetuese. Kjo është Kushtetuta e Shqipërisë nga A-ja te Zh-ja", theksoi Manjani.

Sipas tij, pezullimi do të digjte 25 milionë dollarë fond për kompensimin e pronarëve, si dhe do të bllokoheshin 20 mijë hektarë tokë bujqësore. "Gjykimi Kushtetues për këtë ligj është një gjë e shtuar, sikurse është kompleks dhe i vështirë e sigurisht që do të kërkojë kohën e vet. Masa e përkohshme e pezullimit të ligjit do të ishte një çështje e pajustifikuar. Sepse pengimi për ta zbatuar këtë ligj do të thotë djegie e 25 milionë dollarëve, bllokohen 20 mijë hektarë tokë për kompensim fizik, bllokohen 11 mijë dosje dhe 26 mijë vendime. Nëse interesi është bllokimi i kompensimit dhe pronës për pronarët, është e pakuptueshme. S'është as në interesin e pronarëve, as të shtetit shqiptar. Është një çështje e shoqërisë shqiptare, është një çështje e pronarëve", u shpreh Manjani.

Ai theksoi se ligji do të vijojë nga zbatimi, pavarësisht shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese. "Le të fillojmë zbatimin dhe paralelisht të shqyrtohet edhe kushtetutshmërisht".

Manjani shtoi se ligji i pronave ka nisur sot zbatimin dhe se janë gati të shpërndahen për pronarët 24 milionë dollarë si dhe mijëra hektarë tokë bujqësore.