Prej më shumë se një viti një padi e Bankës së Shqipërisë për kthimin e 713 milion lekëve të vjedhura nga thesari në Linzë, qëndron pezull në gjykatën civile të kryeqytetit.

Kjo padi është paraqitur nga juristët e Bankës së Shqipërisë ku kërkohet që të dënuarit Ardian Bitraj e Mimoza Bruzia të kthejnë lekët e vjedhur. Por në këtë proces nuk ka asnjë zhvillim dhe me vendim gjykate gjithçka është pezulluar pasi dy të dënuarit kanë apeluar fajësinë që rëndon mbi ta.

Ky apel siç dhe shihni në faksimile është depozituar më 29 Maj 2015 në gjykatën e apelit, nga Bitraj e Bruzia por tashmë kur kanë kaluar plot 11 muaj Apeli nuk ka asnjë vendim apo përparim mbi këtë proces.

Në të njëjtën situatë ndodhet dhe padia e Bankës së Shqipërisë për kthimin e shumës së vjedhur prej 713 milion lekë, padi kjo e depozituar më 30 Mars 2015 por e pezulluar nga gjyqtarja Rezarta Balliu për shkak të mungesës së një vendimi fajësie të formës së prerë për Bitrajn e Bruzian.

Kur kanë kaluar më shumë se 2 vite nga skandali i vjedhjes së thesarit drejtësia ende nuk ka mundur të dënojë me vendim të formës së prerë të dyshuarit cka ka sjellë për pasojë dhe bllokimin e padisë për kthimin e parave të vjedhura.

Këto para të vjedhura i përkasin shqiptarëve dhe arkës së shtetit, por dhe pas dy vitesh këto lekë s'dihen se ku kanë përfunduar pasi dhe prokuroria arriti të sjell prova bazuar në dëshminë e Bitrajt se një pjesë e tyre u harxhuan në bixhoz.

Gjykata e apelit ka mundur të caktojë vetëm relatorin e çështjes i cili është Fatos Qato por ende nuk është vendosur një datë se kur nis ky proces i cili do ti hapte rrugë padisë civile për kthimin e parave të vjedhur.