Është arrestuar në Holandë Arben Frroku, vëllai i ish deputetit Mark Frroku, i dënuar nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda me burgim të përjetshëm për vrasjen e kryekomisarit, Dritan Lamaj, në 24 shkurt të vitit 2013.

Frroku ishte në kërkim prej 9 muajsh, pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda që rrëzoi atë të shkallës së parë, e cila e shpalli të pafajshëm.

Frroku është ndaluar nga policia gjatë një kontrolli në provincën Shiphol të Amsterdamit, ndërsa është prezantuar me identitet të rremë.

Pranë autoriteteve holandeze, Frroku ka dorëzuar një dokument grek me emrin Renato Tsepa.

Nga autoritetet holandeze ai akuzohet për vënie në përdorim të dokumentave dhe identiteteve të falsifikuara.

Ndërkohë, Interpol Tirana prej disa muajsh ka lëshuar edhe një urdhër arresti ndërkombëtar për të.

Identifikimi i Frrokut është bërë përmes komunikimeve të Interpol Hagës me atë të Tiranës, ku janë shkëmbyer të dhënat rreth identitetit të Frrokut.

Dhe nga të dhënat e shkëmbyera ka rezultuar se i ndaluari është Arben Frroku, i dënuar nga drejtësia shqiptare për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj.

Pritet që brenda pak ditësh, Arben Frroku të ekstradohet në Shqipëri.

Arben Frroku u lirua nga Gjykata e Krimeve të Rënda në datën 4 prill 2015. Me këtë vendim nuk u pajtua organi i akuzës.

Prokurorët e çështjes e ankimuan vendimin e shkallës së parë në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda dhe kërkuan dënim maksimal.

Ka qenë Apeli i cili ka rrëzuar vendimin e Gjykatës duke e dënuar Arben Frrokun me burgim të përjetshëm për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt.

Ndërkohë, një javë përpara vendimit të Apelit, Arben Frroku ishte arratisur nga Shqipëria pa lënë gjurmë as në sistemin TIMS.

Pas dhënies së vendimit nga Apeli, ai u shpall në kërkim ndërkombëtar.

Madje, gjatë arratisë, Frroku është ndaluar në kufirin mes Malit të Zi dhe Kroacisë dhe është lënë i lirë pas verifikimit se nuk rezultonte në kërkim.

Gjatë kohës që ishte në arratisje, në 8 korrik të vitit 2015, Frroku bëri rekurs në Gjykatën e Lartë ku kërkoi pafajësinë.