Përfundon pa konsensus takimi mes Edi Ramës e Lulzim Bashës për reformën në drejtësi. Mbi tre orë bisedime në Pallatin e Kongreseve nuk kanë shërbyer për të dhënë një verdikt pozitiv gjë që do të mundësonte miratimin pa humbur kohë në Kuvend të draftit të reformës në drejtësi.

Kryeministri Edi Rama tha në mbyllje të takimit se mazhoranca nuk e bindi dot PD-në që të jepte mbështetjen e saj për draftin e ekspertëve. Pavarësisht se tryeza dështoi, kreu i qeverisë Edi Rama deklaroi se drafti i reformës do të niset direkt për tu votuar në Kuvend. Por edhe këtu hasi në rezistencën e demokratëve, pasi kreu i opozitës Basha paralajmëroi se çdo draft i padakordësuar në Kuvend do të rrëzohet. Sipas Bashës, nëse ndiqet kjo rrugë, atëherë është mazhoranca ajo që po përpiqet ta shtyjë miratimin e reformës në drejtësi.

Ajo që u mësua gjithashtu nga ky takim është se zyrtarisht Partia Demokratike ka braktisur kushtin e saj të panegociueshëm deri pak ditë më parë, atë të votimit me shumicë të cilësuar të anëtarëve të drejtësisë, për formulën e vendeve të rezervuara në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë si dhe thjeshtimin e arkitekturës së sistemit.

Në këtë takim, i pari kokë më kokë mes Ramës e Bashës, kryeministri shoqërohej nga kryetari i komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi Fatmir Xhafaj si dhe kreu i grupit parlamentar i LSI, Petrit Vasili.

Nga ana tjetër, shefi i opozitës, Lulzim Basha, shoqërohej nga kryetari i grupit parlamentar Edi Paloka si dhe nënkryetari i komisionit të reformës në drejtësi, Oerd Bylykbashi.

Nga kjo tryezë e nivelit të lartë pritej një adresim përfundimtar lidhur me fatet e reformës në drejtësi, gjë që nuk ndodhi dhe palët janë pozicionuar në fazën fillestare. Ndërkohë, ditët e fundit, faktori ndërkombëtar ka shtuar presionin ndaj klasës politike shqiptare, duke insistuar për miratimin në kohë të reformës në drejtësi.

Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland zhvilloi biseda telefonike me kreun e opozitës Basha dhe ish kryeministrin Berisha, duke dhënë qartë mesazhin se miratimi i reformës në drejtësi është domosdoshmëri.

Edhe shefja e diplomacisë në Bashkimin Europian, Frederica Mogherini u shpreh një ditë më parë se takimi Rama-Basha duhet të jetë hapi final për miratimin e reformës në mënyrë që të përshpejtohet procesi i integrimit europian.