Kryeministri Edi Rama u shpreh në një dalje për mediat se koalicioni qeverisës, "Aleanca për Shqipërinë Europiane" do të votojë në bllok për reformën në drejtësi.

Ai theksoi se mazhoranca i ka votat për ta kaluar reformën ditën e enjte. "Aleanca për Shqipërinë Europiane" do të votojë në bllok për të mbrojtur dritën e të ardhmes së gjeneratës tjetër", u shpreh Rama.

Ai tha se mazhoranca nuk mund t'i plotësojë kërkesën PD-së, për tu rreshtuar në një front kundër SHBA-së, ndërsa i bëri thirrje kryetarit të PD që të sillet si lider.

"Ftoj Lulzim Bashën që të sillet si lider. Nuk mund t'ia plotësojmë dot kërkesën për tu bashkuar në një front kundër SHBA-së. "Vija e kuqe" e tyre është vija mbrojtëse për Shqipërinë e shqiptarët, e cila garanton fshesën mbi të korruptuarit në sistemin e drejtësisë. PD ka fituar në këtë proces të gjatë, të gjithë atë që i takon dhe sinqerisht e komplimentoj Lulzim Bashën për rezultatet që janë arrtitur, por PD s'mund të kërkojë e s'mund të marrë atë që nuk i takon", u shpreh Rama.

Shefi i mazhorancës theksoi sërish se opozita është e mirëpritur për konsensus deri të enjten në orën 10:00. "Kam qenë, jam dhe do të jem, deri në orën 10:00 të datës 21 korrik, i gatshëm për konsensus".

Apeli i kreut të qeverisë shkon për të gjitha forcat politike në parlament, për tu dhënë një mesazh të gjithë qytetarëve shqiptarë se kur politika është unike, gjithçka është e arritshme.

"Le të bashkojmë forcat individuale, partitë në parlament, të dyja koalicionet dhe me dy krahët lart të ngrejmë shpresën e shqiptarëve që përfaqësojmë për të votuar reformën në drejtësi dhe për tu dhënë të gjithëve mesazhin se s'ka asgjë të pamundur kur të gjithë jemi bashkë", theksoi kryeministri Rama.