Spitali Amerikan nr.1 në Tiranë, pavioni i Hemodializës, është përfshirë nga flakët paraditen e kësaj të hëne, ku si pasojë kanë humbur jetën dy paciente të cilat po merrnin trajtimin e dializës.

Viktimat janë 55 vjeçarja Sanie Sulaj nga Mamurrasi dhe një paciente tjetër nga Laçi, Hanife Mali, gjithashtu 55 vjeçe. Ato kanë qenë të shtruara në spital, kur ka rënë zjarri.

Shkak i zjarrit ka qenë një sherr mes dy pacientëve, ku njëri ka tentuar të djegë tjetrin brenda dhomës së Hemodializës. Sipas Policisë, zjarri është vënë nga pacienti i identifikuar si Lefter Canaj, 57 vjeç, pas një konflikti me pacientin tjetër Dashamir Saraçin, 47 vjeç.

Autori i zjarrvënies Lefter Canaj pasi ka mbaruar dializën ka shkuar në dhomën e pacientit Saraçi, ka nxjerrë nga qesja një bidon dhe dyshohet të ketë spërkatur me benzinë atë dhe më pas i ka vënë zjarrin.

Me nderhyrjen e infermierëve është bërë e mundur shuarja e zjarrit mbi autorin e dyshuar dhe të dëmtuarin.

Saraçi ka qenë i shtruar dhe merrte mjekim dhe në të njejtën dhomë me të ka qenë duke marrë mjekim dhe pacientja Sanie Sulaj, 55 vjeçe nga Mamurrasi e cila ka gjetur vdekjen si pasoje e asfiksisë. Ndërsa më pas është gjetur poshtë krevatit nga grupi hetimor edhe 55 vjeçarja nga Laçi, Hani Mali. Shkak i vdekjes së dy grave paciente në Spitalin Amerikan ka qenë asfiksia nga zjarri në dhomën ku ato ndodheshin.

Aktualisht Dashamir Saraçi ndodhet i shtruar në sallën e reaminacionit pranë spitalit Ushtarak, kurse autori i dyshuar ndodhet në Spitalin American 2.

Të lënduar nga zjarri kanë mbetur dhe dy infermiere të pavionit të Hemodializës, ku njëra prej tyre mësohet se është asfiksuar nga tymi dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Mësohet se reparti i Hemodializës është djegur pjesërisht, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme. Në momentin e zjarrit, në pavionin e Hemodializës kanë qenë rreth 25 pacientë, por nuk kanë pësuar dëmtime, përveç katër pacientëve që ndodheshin në dhomën ku nisi zjarri.

Forca të shumta zjarrfikëse mbërritën menjëherë në vendngjarje, të cilët bënë të mundur neutralizimin në kohë të flakëve.