Ekspertiza mjeko - ligjore pritet të japë përfundimisht versionin zyrtar për vrasjen e dyfishtë, të ndodhur të premten në Fier.
Hetimet e deritanishme kanë treguar se autori i krimit është 32 - vjeçari Drini Derveni. Ai, sipas policisë, ka qëlluar me pistoletë 29 - vjeçaren Ermira Arapi, nënë e një fëmije, me të cilën kishte një lidhje intime dhe më pas është vetëvrarë.

Por ekspertiza që përfundon të hënën, pritet të japë detaje të vlefshme për hetimin. Në pistoletën tip TT u gjetën shenjat e Dervenit, ndërsa në dorën e tij të djathtë, faktorë plotësues të qitjes.

Dy trupat u gjetën në makinën e Dervenit.

Ajo që ngelet e paqartë janë motivet e këtij krimi.

Sipas policisë, dyshohet se 29 - vjeçarja mund të ketë qenë shtatzenë dhe ky ka qenë shkaku i konfliktit.

Hetuesit kanë në dorë edhe telefonat celularë të dy viktimave, tek të cilët pritet të gjejnë të dhëna të vlefshme për motivin e ngjarjes.