Edhe pse u miratua me konsensus absolut, Reforma në Drejtësi po has shumë probleme në zbatimin e saj.

Presidenti i Republikës i ka dhënë të drejtë shqetësimit të Ministrit të ri të Drejtësisë, se Bordi i Menaxhimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të Procesit të Vettingut nuk është parashikuar në Kushtetutë.

Në përgjigje të letrës së Vasilit, kreu i shtetit, po me një letër zytare të botuar në të përditshmen Panorama, shkruan se asnjë institucion apo strukturë jashtë kësaj kornize ligjore, nuk do të mund të merrte atributet e një strukture të mirëpërcaktuar në Kushtetutë.

Sipas Ministrit të Drejtësisë, roli i Bordit të OMN ?së është i paqartë dhe nuk është i përcaktuar në asnjë nga ligjet e Reformës. Ai saktëson se fryma e Kushtetutës përcakton vetëm ardhjen e vëzhguesve ndërkombëtarë.

Ministri Vasili shprehet se ajo për të cilën është rënë dakord në Kushtetutë është vetëm krijimi i trupave me ekspertë dhe jo me njerëz politikë.

Drejtuesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit mbërritën në Tiranë javën e shkuar dhe roli i tyre duhet të jetë thjeshtë vëzhgues dhe jo ekzekutiv, në procesin e Vettingut për prokurorët dhe gjyqtarët.

Tv Klan