Pas uzinës së përpunimit të naftës në Ballsh dhe 22 pronave në Vlorë, është radha e Rafinerisë së ARMO-s në Fier të përfundojë në ankand për shkak të borxheve.

Report Tv ka mësuar se një shoqëri përmbarimore ka nxjerrë në ankand 25 prona të Rafinerisë së Fierit për llogari të shoqërisë tjetër shtetërore të naftës Albpetrol.

Në ankand ka përfunduar praktikisht e gjitha rafineria, duke nisur nga linja teknologjike, te depozitat e deri te trojet e ndërtesat.

Vlera e rafinerisë llogaritet nga kompania përmbaruese 20 milionë euro, ndërkohë që borxhet e ARMO-s ndaj Albpetrol, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit arrijnë në 30 milionë dollarë.

Ajo që bie në sy është se muajt e fundit janë shitur thuajse të gjitha pronat me vlerë të ARMO-s, por me çmime shumë të ulëta.

Vetëm pak muaj më parë, një bankë tregtare bleu për 25 milionë dollarë thuasje tërë rafinerinë e Ballshit, ku përfshiheshin 54 prona të saj. Ndërsa më 1 mars, Ionian Refining dhe Trading Company, kompania offshore që ka marrë në përdorim nga fundi i vitit të shkuar ARMO-n, bleu për vetëm 1 milionë euro 22 prona të ARMO-s në Vlorë.