Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka folur te "5 pyetjet nga Babaramo" për dekretimin e Fatmir Xhafajt ministër të Brendshëm.

Nishani sqaroi edhe njëherë tjetër se është Kushtetuta ajo që nuk e lejon të rrëzojë propozimin e Kryeministrit, pasi nëse do të kishte një tagër të tillë, do ta kishte rrëzuar Xhafajn.

Duke iu referuar reagimeve të përfaqësuesve të opozitës të cilët nuk kanë kursyer kritikat në adresë të kreut të shtetit, Nishani tha se i mirëkupton ato, por ajo që e çudit është se të mërzitur ka edhe nga radhët e qeverisë.

"Disa i mirëkuptoj, disa më çudisin. Unë jam në zyrën e Presidentit të Republikës si një institucion që qëndron jashtë reagimeve të partive politike. Nuk jam në zyrën e Presidentit të Republikës për të reflektuar emocionet që vijnë nga partitë politike. E mirëkuptoj emocionin që vjen nga përfaqësues të opozitës sepse e lidhin pikërisht me të shkuarën e kandidatit për ministër, me aktivitetin e tij në Parlament, me qëndrimet politike që ka mbajtur në raport me opozitën, pra, të gjithë këtë qasje të qyetarëve që janë në opozitë me qeverinë e mirëkuptoj. Por, ajo që më çudit është fakti që njerëz pranë qeverisë janë të mërzitur me dekretimin e ministrit të Brendshëm. Megjithatë, ndoshta koha në vazhdimësi do ta tregojë se pse janë mërzitur kaq shumë këta njerëz pranë qeverisë", u shpreh Nishani.