Shtatë persona, dy prej të cilëve italianë, janë arrestuar nën akuzën e trafikimit të drogës nga Shqipëria drejt Italisë.

Prokuroria për Krime të Rënda tha se në bashkëpunim me Prokurorinë e Leçes ka arritur të zbulojë një grupin prej të paktën 7 personash, nga të cilët 5 shqiptarë dhe 2 italianë, të cilët trafikonin drogë me skaf nga Gjiri i Lalzit, në Durrës dhe destinacion brigjet italiane.

Në pranga kanë përfunduar Eduart Sallaku, Vitor Brahja, Jurgen Brahja, Gjon Brahja, Lazër Lazri dhe dy italianët Gianfranco Maiorano dhe Donato Carlucci.

Prokuroria tha se shtetasit shqiptarë janë ndaluar të enjten, ndërsa italianët të premten në darkë.

Italianët u kapën nga policia në brendësi të pyllit pranë Gjirit të Lalzit. Në operacion u sekuestrua edhe skafi me të cilin do të kryhej trafikimi i lëndës narkotike.

Nga hetimet e deritanishme ka dyshime të arsyeshme se shtetasi Eduart Sallaku është në krye të këtij grupi kriminal, në rolin e organizatorit të trafikimit drejt brindizit.

Ditën e mërkurë, Eduart Sallaku, është afruar në këmbë pranë bregut të detit dhe ka hipur në skafin në pronësi të Lazër Lazrit. Të dy kanë pritur ardhjen e një tjetër skafi, të nisur nga Italia, në bordin e së cilit gjendeshin dy shtetasit italianë.

Lazri është kontaktuar nga Vitor Brahja, me qëllim që të ndihmonte në transportimin e lëndës narkotike nga brendësia e pyllit për në bordin e skafit të tij dhe, më tej, ta transportonte në skafin e shtetasve italianë më në brendësi të detit.

Për realizimin e qëllimit kriminal, Brahja ka kontaktuar me dy nipërit e tij Jurgen Brahja dhe Gjon Brahja, të cilët, përveç ndihmës në ngarkimin e lëndës narkotike, do të monitoronin dhe zonën përreth për të sinjalizuar më pas Eduart Sallakun për prezencën e forcave policore./tvklan.al