Në vijim të një operacioni masiv që po zhvillohet në të gjithë territorin e qarkut Vlorë për parandalimin, evidentimin, goditjen e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, autoritetet kanë sekuestruar 140 kilogramë kanabis. Gjithashtu, janë zbuluar 70 bimë narkotike, si dhe dy gomone.

Burime zyrtare sqarojnë se 4 janë personat e shoqëruar, me të cilët po punohet për zbardhjen e ngjarjeve.

Kështu, gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Vergo të Delvinës, pranë vendit të quajtur "Shahino", midis disa shkurreve janë gjetur 6 thasë të mëdhenj sintetikë të mbushura me kanabis, me peshë të përgjithshme prej 140 kilogramë.

Në vijim të këtyre kontrolleve janë evidentuar dhe asgjësuar 70 bimë narkotike po kanabis, në fshatin Gjormë të Selenicës, të mbjella në një zonë të pyllëzuar. Lartësia e tyre ishte nga 10 deri në 15 cm. Bimët u asgjësuan me djegie.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve të ushtruara përgjatë lumit Vjosë, autoritetet kanë konstatuar dhe bllokuar 2 gomone në fshatin Pish-Poro, të cilat dyshoheshin se ishin fshehur me qëllim për të trafikuar lëndë narkotike.

Vazhdojnë hetimet për arrestimin e autorëve të implikuar në këto veprimtari kriminale.

Policia e Vlorës bën me dije se në ditët në vijim do të ketë kontrolle të rrepta me grupe pune të mirëorganizuara, si dhe monitorimin e të gjithë territorit nga ajri, toka dhe uji me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme, si dhe marrjen e masave për ndëshkimin e personave përgjegjës.

Në operacion janë përfshirë duke bashkëpunuar me njëra-tjetrën forca të shumta policie, konkretisht: Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Drejtoria Vendore e Policisë Kufitare dhe Migracionit Vlorë, Reparti Delta Force, Njësia Speciale FNSH Fier dhe Guardia di Finanza./tvklan.al