Kanë mjaftuar më pak se 24 orë për të numëruar rreth 17000 votat e Bashkisë Vau-Dejës në të cilën Partia Demokratike rikonfirmoi rezultatin fitues.

Në 52 kutitë e votimit të numëruara PD arriti të merrte 7031 vota e ndjekur nga Partia Socialiste me 3955. Forcë e tretë, ashtu si në të gjithë qarkun ka qenë Partia Socialdemokrate. Numri i votave të kësaj Partie në Vau-Dejës ka qenë 3496 e ndjekur nga Lsi me 1693 vota.

Në 6 njësitë e Bashkisë Vau-Dejës, vota arritën të siguronin edhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila mori 254 vota si dhe Libra e Ben Blushit me 81 vota gjithsej. I gjithë procesi i numërimit është ndjekur nga afër nga kandidatët e 3 partive kryesore në këtë zonë. Gjokë Uldedaj, Tom Doshi dhe kandidatja e Partisë Socialiste Majlinda Laçaj së bashku me simpatizantët e partive të tyre ndoqën procesin e numërimit deri në përfundim të plotë. Ndërkohë, një numër i konsiderueshëm vëzhguesish të Partive Politike ishin të pranishëm gjatë numërimit të votave.

Po ashtu përfaqësues të OSBE-së në Shqipëri kanë marrë pjesë si vëzhgues gjatë numërimit. Kontestime nga numëruesit apo kandidatët e partive politike nuk ka patur për asnjë kuti votimi. Në krahasim me zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2013 Partia Demokratike ka rritur numrin e votave me 1250, ndërsa faktor i rëndësishëm në përcaktimin e rezultatit në Zonën e Administrimit Zgjedhor Nr. 6 mbetet Partia Socialdemokrate.

REZULTATET VNV 06
PD: 7031 VOTA
PS: 3955 VOTA
PSD: 3496
LSI: 1693
PDIU: 254
LIBRA: 81