Përveç shtimit të kërkesave për të ndërtuar parqe, ku do të prodhohet energji elektrike nga era dhe dielli, Ministria e Energjisë dhe Enti rregullator kanë miratuar një tabelë me çmime favorizuese për të gjithë ata që ofrojnë projekte në këto dy fusha.

Me anë të një vendimi në datën 27 Korrik, ERE ka vendosur që çmimi i energjisë që kompania e shpërndarjes së energjisë duhet të blerë për energjinë e prodhuar nga era është 76 euro për megavat orë, ndërsa për energjinë nga dielli çmimi arrin në 100 euro për megavat.

OSHEE është e detyruar me ligjin e ri për energjinë e rinovueshme që të marrë të gjithë sasinë që tepron nga impiantet eolikë dhe fotovoltaikë, nëse investitorët nuk arrijnë ta shesin në treg të lirë.

Çmimi është më i lartë edhe se energjia hidro, që OSHEE është duke importuar aktualisht në pik-un e sezonit, dhe më shumë edhe se çmimi mesatar vjetor, por kjo thuhet në vendimin e ERE-s, bëhet për të stimuluar prodhimin e energjisë ndryshe, në mënyrë që vendi të mos varet vetëm nga burimet ujore.

Sot në Shqipëri, 90% e energjisë elektrike vjen nga hidrocentralet. Vendimi i Entit Rregullator të Energjisë do të jetë i vlefshëm vetëm për impiantet e vogla, deri në 2 megavat për erën dhe 3 megavat për energjinë që prodhohet nga dielli. Deri tani në Ministrinë e Energjisë janë depozituar 10 kërkesa për ndërtimin e këtyre parqeve.

Tv Klan