Rënia e temperaturave uli disi intensitetin e zjarreve, megjithatë situata vazhdon të jetë problematike në disa zona.

Emergjencat Civile raportojnë se gjatë kësaj të shtune ka 8 vatra zjarri aktive në qarqet e Tiranës, Dibrës, Durrësit, Fierit, Vlorës e Gjirokastrës.

Më problematike situata raportohet në Bashkinë Dropull, pikërisht në fshatrat Frashtan dhe Lugar, ku edhe pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse dhe përfshirjes së 2 avionëve Canadair nga Greqia, nuk ka qenë e mundur të shuhen flakët e zjarreve.

Edhe në fshatin Bularat rrezikohet një sipërfaqe e madhe pyjore.

Edhe në Finiq zjarret kanë krijuar situatë të rëndë, pasi flakët i janë afruar shumë fshatit Dhrovjan ndërsa pritet ndërhyrja nga ajri.

Në të gjitha këto zona janë përfshirë në operacionet e Emergjencave Civile dhe afro 100 forca të Ushtrisë, që po japin kontributin e tyre për të mos lejuar që zjarret të përfshijnë banesat.

Emergjencat raportojnë dhe për një zjarr që ka përfshirë fshatin Cudhi në Krujë ku po rrezikohet Parku Kombëtar i Qafë Shtamës.

Në mbrëmje Emergjencat raportuan për një zjarr masiv në fshatin Kreshpan të Patosit që ka përfshirë një zonë me ullinj, por që është larg banesave. Forcat zjarrfikëse po punojnë për izolimin e flakëve, megjithëse era po vështirëson punën e tyre duke përhapur flakët

Tv Klan