Gjatë hetimeve që po zhvillohen për të zbuluar porositësit e 13 kilogramëve armatim, burime për Report TV nga policia e shtetit, bëjnë me dije se po hetohet roli i një britaniku i cili ka qenë ditët e fundit në Shqipëri.

Bëhet fjalë për një të ri britanik i cili mendohet se ka ardhur në Shqipëri në datën 20 gusht dhe më pas ka shkuar në zonën e Durrësit, i shoqëruar edhe nga një person tjetër.

Ky i ri, sipas policisë së Shtetit, ka shkuar edhe në zonën e Shijakut, por Antiterrori nuk ka të dhëna se me kë është takuar.

Burimet sqarojnë se shtetasi britanik ka qëndruar 3 ditë në Shqipëri dhe më pas është larguar nga Aeroporti i Rinasit, drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Policia ka mbledhur pamjet filmike në Aeroportin e Rinasit, por edhe të disa bizneseve në Shijak, për të kontrolluar se me kë është takuar britaniku, që ka ardhur në Shqipëri vetëm pak ditë para se të niseshin drejt Anglisë 3 kallashnikovët që u sekuestruan në Rinas.

Policia e Shtetit dhe Antiterrori i kanë nisur të dhënat e këtij personi homologëve të Britanisë së Madhe.