Telashet për autostradën Tiranë-Elbasan nuk kanë të sosur. Përveçse rruga ka vite që është në ndërtim dhe është shkelur çdo afat i mundshëm për përfundimin, ka pasur vonesa në pagesa për nënkontraktorët, rrëshqitje dheu dhe rritje të kostos përfundimtare, tashmë duket se kompania që ka kontratën Copri-AKTOR ka përfunduar në një përplasje me Tatimet.<br /><br />Copri-Aktor kërkon që Drejtoria Rajonale Tatimore e Tatimpaguesve të Mëdhenj të rishikojë vlerësimet e saj të bëra për detyrimet në vitet 2013 dhe 2014 gjatë një raporti të mbyllur në tetor të vitit 2015 dhe vendimit të dhënë nga Apelimi Tatimor në janar 2016.<br /><br />Në detajet e çështjes së regjistruar në datë 6 shtator 2017 , në Gjykatën Administrative të Apelit kompania kërkon shfuqizim e detyrimeve të konstatuara sipas njoftimit të vlerësimit tatimor. Në këtë vlerësim COPRI dhe AKTOR i kërkohet që të ulin humbjen me të paktën 2.6 miliardë lekë për dy vite si dhe të rishikojnë pjesën e tepricës kreditore me disa qindra milionë lekë. Nga ana tjetër tatimet kërkojnë edhe pagesën e tatimfitimit si dhe arkëtimin e gjobave.