Dy vëllezër dhe bashkëshortja e njërit prej tyre janë viktimat e tragjedisë që ndodhi të shtunën pasdite në Torovicë të Lezhës, kur ky masiv shkëmbor u shkëput nga mali dhe zuri poshtë makinën me të cilën ata udhëtonin.

Mjeti tip fuoristradë Land Rover ishte duke lëvizur në aksin Lezhë-Torovicë kur u godit nga masivi shkëmbor që u rrokullis për një distancë më shumë se 200 metër nga vendi ku u shkëput. Viktimat janë Valentin Zefi 29 vjeç, Edmond Zefi 31 vjeç dhe bashkëshortja e tij Aida Zefi 21-vjeç, e cila mësohet se ishte shtatzënë.

Vëllezërit Zefi ishin nisur nga fshati Rrobosht drejt Torovicës për të marrë pjesë në një festë fetare në familjen e Aidës, kur në vendin e quajtur kryqëzimi i Rrugës së kampit u goditën nga masivi shkëmbor që pasi kaloi mbi automjet u ndal disa metra poshtë rrugës.

Gjurmët e kraterit që la pas shkëputja e masivit shkëmbor janë të dukshme që nga vendi ku nisi rrokullisja e deri në momentin që u ndal.

Forca dhe pesha me të cilën shkëmbi ra mbi mjetin fuoristradë e shkatërroi tërësisht atë, ndërsa për nxjerrjen e trupave u desh ndërhyrja e forcave zjarrëfikse.

Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie dhe ekspertë të cilët kanë nisur hetimet mbi rrethanat e këtij aksidenti tragjik. Ajo që dyshohet është se shkëputja e masivit shkëmbor mund të jetë shkaktuar nga rrëshqitjet e dherave për shkak të reshjeve, por gjithçka pritet të konfirmohet nga hetimet.

Tv Klan