Mbështetës dhe lojtarë të ekipit të Këlcyrës kanë protestuar këtë të hënë duke kërkuar lirimin e tre futbollistëve, të cilët u arrestuan pas dhunës së ushtruar ditën e djeshme ndaj arbitrit të ndeshjes Përmeti-Këlcyra e luajtur në stadiumin "Durim Qypi", e vlefshme për kategorinë e dytë. <br /><br />Protestuesit kanë bllokuar për disa minuta aksin nacional Këlcyrë-Përmet. Si lojtarët ashtu edhe drejtuesit e klubit futbollistik Këlcyra akuzojnë gjyqtarin Alvi Paço se ka marrë ryshfet për t'i dhuruar fitoren ekipit të Përmetit.<br /><br />"Kam shkuar dy herë në federatë për një arbitër që ishte në rregull me ndeshjen, të ishte më i mirë, në mënyrë që të mos ziheshin dy qytetet me njëri-tjetrin. Tërhoqa ekipin për të mos e vijuar lojën. Dyshojmë se ka marrë ryshfet. Dhuna është e dënueshme por kjo është e vërteta. Nuk mund të na përjashtojë një arbitër i korruptuar nga kategoria", tha trajneri i ekipit të Këlcyrës, Robert Spahiu i cili u shoqërua në komisariat pas dhunës ndaj arbitrit fierak.
