Pas paralajmërimit nga Kryeministri Edi Rama të reformës në sektorin e tregtimit të qumështit, Ministria e Bujqësisë ka nisur punën për të zbatuar në terren aksionin e kontrolleve.

Televizioni Klan ka mësuar se ditën e martë, ministri Niko Peleshi do të thërrasë në një tryezë të gjithë grosistët e mëdhenj të industrisë së prodhimit dhe përpunimit të qumështit për t?u vënë përpara parametrat që duhet të zbatojnë në momentin që bëjnë furnizimin nga baxhot.

Burime zyrtare thonë se do të vendosen standarde të njëjta me ato të Bashkimit Europian për nivelin bakterial që përmban qumështi.

Nëse konstatohet se produkti është jashtë këtyre parametrave, atëherë kompania do të gjobitet, e nëse sërish gjendet me shkelje asaj do t?i hiqet licenca e tregtimit.

Ky është hapi i parë që synohet për të rregulluar tregun, ku vetë kompanitë të vendosin standardet në pikat që ato furnizohen.

Faza e dytë do të shtrihet te të gjithë baxhot dhe paralajmërohet se do të këtë mbyllje të aktivitetit të atyre që do të gjenden me shkelje të rregullave.

Nga ana tjetër, mësohet se qeveria përveç masave shtrënguese do të nisë shpërndarjen e subvencioneve për bizneset që respektojnë standardet e cilësisë.

Kontrollet do të nisin sipas hartës së zonave që kanë prodhimin më të lartë. Aktualisht vetëm 11% e tregut të qumështit menaxhohet nga kompanitë që përdorin standardet ligjore, ndërsa pjesa tjetër që konsumohet është e pasigurt.

Tv Klan