Pas afro 3 vjetësh në krye të policisë, Haki Çako u shkarkua nga detyra e Drejtorit të Pergjithshëm.
Këshilli i Ministrave e mori vendimin këtë të hënë, me kërkesë të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Ministria e Brendshme njoftoi lirimin nga detyra pas një takimi që Çako pati me ministrin Xhafaj në zyrën e këtij të fundit gjatë paradites të së hënës.
Në njoftim vlerësohet puna dhe përkushtimi i Çakos në krye të Policisë së Shtetit, për të cilin thuhet se drejtoi me profesionalizëm struktura të niveleve të ndryshme.
Por sipas Ministrisë së Brendshme, realizimi i objektivave të këtij mandati qeverisës, në fushën e rendit dhe sigurisë publike, kërkojnë një ritëm më të shpejtë dhe dinamikë të madhe pune. Për këtë arsye është i domosdoshëm një lidership i ri, me energjitë të reja për të motivuar dhe çuar përpara punën e Policisë së Shtetit.
Në njoftim theksohet po ashtu se puna e policisë, domosdoshmërisht duhet të jetë e orientuar drejt rezultateve konkrete, me qëllim që t?u përgjigjet më mirë kërkesave të kësaj faze të re dhe pritshmërive të larta të publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë ndaj Policisë së Shtetit.
Haki Çako qëndronte në krye të uniformave blu që prej Prillit të vitit 2015, kur mori drejtimin e policisë pas dorëheqjes së Artan Didit. Përpara se të emërohej në këtë detyrë, ai kishte mbajtur edhe funksionin e zv/ drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Po ashtu Çako, drejtoi Policinë e Gjirokastrës gjatë vitit 2013- 2014, kohë në të cilën edhe u zhvillua operacion anti-kanabis në Lazarat.