Borxhet që Byroja Shqiptare e Sigurimeve ka ndaj të dëmtuarve në aksidente kanë arritur vlerën 16 milion dollarë, 9 milion prej të cilave janë me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Detyrimet datojnë prej vitit 2001, ku njerëz të dëmtuar që kanë fituar të drejtën në gjykatë për dëmshpërblim nuk kanë marrë paratë, ndërsa shumat e dhëna në këto vite nga fondi i kompensimit kanë qenë të papërfillshme.

Për këtë arsye, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar një vendim ku detyron Byronë që të bëjë shlyerjen e menjëhershme të të gjitha borxheve ndaj palëve të dëmtuara brenda vitit 2018-të dhe çdo muaj të dorëzojë evidencat pranë autoritetit.

Në vendimin e AFM-së thuhet se Byroja e Sigurimeve nuk kishte nisur asnjë shkresë zyrtare për krijimin e fondit të kompensimit dhe pas kërkesave të këtij autoriteti propozoi që shuma të ishte 5 milion dollarë, e pamjaftueshme për të kompensuar të gjithë palët e dëmtuara.

Po ashtu AMF do të nisë edhe një audit nga një shoqëri ndërkombëtare për të kontrolluar mënyrën se si janë bërë pagesat dhe vlerësimet e byrosë.

Fondi i kompensimit krijohet çdo vit për të bërë pagesën e dëmeve pasurore dhe jo pasurore, në rastin që ato shkaktohen nga një mjet motorik në momentin që pronari i tij nuk është i siguruar.