Lëvizjet e para që kryen në drejtimin e prokurorive të rretheve dhe në Prokurorinë e Përgjithshme përplasin disa prokurorë me kreun e përkohshëm të akuzës qëndrore, Arta Markun.

Prokurori i Elbasanit Dritan Gina, e ka kundërshtuar largimin nga pozicioni që ka mbajtur prej korrikut të vitit 2016, duke e quajtur të paligjshëm.

Dritan Gina: "Nuk do ta lë detyrën, pasi është në bazë të një vendimi të paligjshëm".

Prokurori Gina e lidh largimin e tij nga detyra me nje kerkesë që ka bërë në Prokurorinë e Përgjithshme për asistencë në hetimin që po kryhet për zbardhjen e disa ngjarjeve të rënda kriminale në Elbasan.

Gjatë paradites së të martës edhe bashkëshortja e Ginës, prokurorja Rovena Gazhi, ish-drejtoreshë e marrëdhënieve me jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, e ka paditur në gjykatë kryeprokuroren e përkohshme, Arta Marku. Rovena e cilëson vendimin për largimin e saj nga pozicioni që ka mbajtur në kohën e Adriatik Llallës, si të pabazuar në ligj.

Ajo e lidh shkarkimin e saj me dërgimin në KQZ të kerkesës për ndërprerjen e mandatit për dy deputetët Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica.

Sipas saj, kryeprokurorja e përkohshme e ka thirrur në zyrë dhe i ka komunikuar shkarkimin për shkak se kërkesën e kishte nisur pa e vënë atë në dijeni.

Paraditen e së martës kryeprokurorja e përkohshme largoi dhe drejtuesin e prokurorisë së Fierit, Pal Deçollin dhe emëroi në vendin e tij Fatmir Lushin. Në Kukës, Artur Ismailukaj ka lënë detyrën duke u zëvendësuar nga Alketa Nushi. Agron Gjana është shkarkuar nga drejtimi i Prokurorisë së Durrësit dhe vendin e tij e ka marrë Donika Prela. Ndërsa në vend të Dritan Ginës është emëruar Ardian Nezha i cili ushtronte detyrën e prokurorit në Pukë.

Sipas dispozitës kalimtare në ligjin për Prokurorinë, Prokurori i përkohshëm mund të emërojë magjistratët, të pezullojë prokurorët, të caktojë në pozicione të përhershme magjistratët e të hetojë shkeljet disiplinore.