Aksioni për kontrollin e lidhjeve të paligjshme do të nisë derë më derë në datën 1 Shkurt. Në një intervistë për televizionin Klan, Lindita Sotiri, këshilltare në Minsitrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për çështjet e ujit, thotë se nuk do të ketë kthim mbrapa dhe të gjithë abonentët të cilët gjenden pa matësa dhe pa kontrata me ndërmarrjet e ujësjellësit nuk do të furnizohen me ujë. Në rastin se konstatohet ndërhyrje e paligjshme në rrjet, atëherë abonenti do të kallëzohet penalisht.

Lindita Sotiri: "Në 1 Shkurt kontrollet do të jenë derë më derë, nëse ka lidhje të paligjshme sanksionet janë sipas parashikimeve që ka ligji, ndjekje penale".

Sotiri thotë se situata e borxheve në sektorin e ujësjellësit është e tillë edhe për faj të keqmenaxhimit të këtyre ndërmarrjeve. Për këtë arsye qeveria do të japë mbështetje financiare për ujësjellësat vetëm nëse ato rritin arkëtimet, e në momentin që nuk përmbushin kriteret, menaxhimin e tyre do ta marrë pushteti qëndror.

"Jemi duke bërë gati edhe ndërhyrjet ligjore, ku nëse kompanitë e ujësjellësave nuk arrijnë të përmbushin kriteret e performancës ne nuk do t?i japim më mbështetje financiare, e në këtë rast nuk mund të lemë qytetarët pa këtë shërbim dhe do t?i kalojmë në administrim të pushtetit qëndror".

Aksioni do të përfshijë edhe institucionet publike të cilat nuk paguajnë ujin, apo nuk kanë një kontratë me ujësjellësin.

"Ka bashki që nuk kanë kontratë, dhe pastaj do të shtrihet edhe te punonjësit e administratës".

Borxhet që kanë kompanitë e ujësjellësit kapin vlerën e 80 milionë Dollarëve, ndërsa niveli i humbjeve në këtë sektor është dy herë më i lartë se ai në sektorin e energjisë, vetëm 33% e ujit të hedhur në rrjet faturohet te abonenti.

Tv Klan