Një fëmijë 7 muajsh i prekur nga fruthi është viktima e parë e kësaj sëmundje, që është rikthyer në Shqipëri pas 4 dekadash.

Foshnja e lindur në Lezhë ka ndërruar jetë në shërbimin e Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare, Nënë Tereza, të hënën, por lajmi është bërë publik vetëm këtë të premte.

Sipas ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik, fëmija kishte edhe probleme pulmonare, çka e ka rënduar gjendjen shëndetësore.

Deri më tani Instituti i Shëndetit Publik konfirmon se janë prekur 65 persona nga kjo sëmundje infektive.

75% i përkasin fëmijëve të grup moshës nën 1 vjeç, të cilët janë të pambrojtur, pasi vaksina injektohet pas vitit të parë të jetës.

Mes të infektuarve ka edhe të rritur, që i përkasin ditëlindjeve '80-90, kohë kur mendohet se vaksina nuk ka pasur efekt.

Për këto grupmosha, Instituti i Shëndetit Publik po riafron vaksinimin në disa poliklinika.