Zbardhen arsyet pse Gjykata e Krimeve të Rënda la në burg tre ish-zyrtarët e Autoritetit Rrugor ta akuzuar për abuzime me autostradën Tiranë-Elbasan. Dashamir Xhika ish-numri një i këtij institucioni, Aksel Qurduka dhe Albens Alite kanë shpërdoruar detyrën në marrëveshje me njëri-tjetrin duke i sjellë një dëm buxhetit të shtetit, sipas gjykatës rreth 37 milionë dollarë. Në vendimin e gjykatës thuhet se këto para janë përfituar më pas në mënyrë të paligjshme nga këta persona dhe të tjerë, të cilët po hetohen për akuzën e korrupsionit.

Sipas prokurorisë, këta ish-zyrtarë kanë bërë amendime dhe ndryshime në kontrata duke sjellë si pasojë shtyrjen e afateve të punimeve. Gjithashtu shkelje e rëndë është konsideruar kryerja e punimeve nga firmat duke mos pasur me parë një burim financiar.

Kjo është bërë me urdhër të Xhikës dhe dy vartësve të tij, ku më pas është bërë likujdimi i këtyre firmave për punime të cilat ishin realizuar tashmë. Por në bazë të ligjit, nënshkrimi i kontratës bëhet për punime që do të kryhen pas lëvrimit të fondit.

Gjykata thotë se Dashamir Xhika gjatë punës së tij ka shmangur bordin drejtues të ARRSH-së. Sipas ligjit duhet të jetë bordi, ai që vendos për veprimtarinë e institucionit dhe jo drejtori pasi detyra e tij kryesore është përfaqësuesi tek të tretë.

Përveç abuzimeve gjykata llogarit edhe interesat, të cilat duhet të paguajë shteti tek institucionet ku është gjetur financimi për këtë projekt. Një tjetër shkelje është situata e krijuar pas rrëshqitjes së dherave në vitin 2014. Aty ka vonesa në kohë për vendimmarrje për zgjidhjen teknike nga Këshilli Teknik. Vendimmarrja e fundit për këtë rast është marrë në 2016-ën, dy vite me vonesë. Pavarësisht këtyre hetimeve, të arrestuarit kanë mohuar akuzat para gjykatës duke e cilësuar procesin politik.