TIRANE - Report Tv ka mësuar detaje të reja nga shpërthimi i ndodhur sot në një dyqan celularësh, pranë Rezidencës Italiane, në Tiranë. Burime nga Policia e Tiranës bëjnë me dije për Report Tv se po hetojnë pistën e montimit të minave me celularë nga ana e 34- vjeçarit, i cili mbeti i plagosur rëndë nga shpërthimi.

I riu ka humbur gishtat e duarve, ndërsa është dërguar në spitalin e Traumës me dëmtime të shumta në fytyrë dhe në trup. Të njëjtat burime të policisë thonë se 34-vjeçari ka filluar punën rreth orës 10:30 të mëngjesit të sotëm, dhe vetëm pak minuta më pas ai ka mbyllur derën e dyqanit nga brenda.
Nisur nga fakti se shpërthimi ka ndodhur në tavolinën e punës dhe në duart e Gentjan Hoxhës, gjithashtu dëmtimet e shumta brenda ambienteve të biznesit, si dhe xhamat që përfunduan në rrugë, kanë bërë që policia të hetojë Gentjan Hoxhën mbi dyshimet për montim të minave. Dyshimet shtohen edhe nga fakti se dera e dyqanit të celularëve ishte e mbyllur me çelës, kur ndodhi shpërthimi.

Dëshmitarët në vendngjarje kanë pohuar se personi i dëmtuar kishte humbur gishtat e duarve. Ndihma e parë i është dhënë nga dy persona, që e kanë parë rastësisht shpërthimin. Ata e kanë nxjerrë menjëherë jashtë dyqanit, të nxirë të gjithin nga tymi e pluhuri.