Toka vijon të rrëshqasë në Blinisht të Mirditës. Sasi të mëdha dherash dhe gurësh kanë arritur deri në Rrugën e Kombit, duke rrezikuar bllokimin e saj në afërsi të Repsit në Mirditë.<br /><br />Punëtorë e mjete janë vënë në gatishmëri për të mbajtur hapur këtë segment rrugor, ndërsa situata e krijuar u monitorua edhe nga Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro. Ai tha se ekspertët po bëjnë studimin gjeologjik të zonës, ku ka rrëshqitje dhe më pas do të ndërhyhet për të frenuar këtë fenomen.<br /><br />Nga rrëshqitja e kodrës në Blinisht të Mirditës janë shembur disa banesa si dhe një biznes, ndërsa i gjithë fshati është bërë i pabanueshëm. Në këto kushte shumë prej banorëve janë larguar nga fshati për shkak të rrëshqitjes së dherave që vijojnë prej tri ditësh.